Skuadra kampione e dimrit në Ligën e Dytë të Maqedonisë – Perëndim, Vëllazërimi i Kërçovës me fitore ka mbyllur ciklin e ndeshjeve kontrolluese para startit të sezonit pranveror, njofton “infOSport.mk”.
Të besuarit e trajnerit Nazmi Ajdini në stadiumin e Gjorçe Petrovit mundi Lokomotivën e Shkupit me rezultatin 4:3, ku sërish në listën e golashënuesve u regjistrua sulmuesi shkupjan, Husein Demiri.
Futbollisti i FC Shkupit i cili do të luaj 6 muajt e ardhshëm në formë huazimi te skuadra kërçovare, realizoi golin e dytë në këtë ndeshje, teksa goli i parë mban firmën e Vlorian Ismailit.
2:1 ishte rezultati i pjesës së parë të këtij takimi, teksa në pjesën e dytë falë një asisti të Burhan Alijit, sulmuesi Belul Nebiu realizoi golin e tretë për Vëllazërimin. Golin e katërt për Vëllazërimin në këtë përballje e realizoi Mirlind Ibraimi, duke bërë që skuadra kërçovare në 5 ndeshjet e fundit të mos njoh disfatë.
Ishte kjo ndeshja e fundit dhe testi kryesor para startit të stinorit pranveror, kur Vëllazërimi në Kërçovë do të mirëpret Gostivarin, me të cilën skuadër ndajnë pozitën e parë me nga 25 pikë.