Një ditë pas ndeshjes së parë të çerekfinale të Kupës së Maqedonisë ndërmjet Vardarit dhe Shkëndijës e mbyllur baraz 1:1, nga skuadra tetovare dalim me komunikatë për media përmes së cilës shprehin pakënaqësinë për ndarjen e drejtësisë nga ana Dimitar Meçkarovskit dhe ndihmësve të tij.
Kuqezinjtë përmes një video materiali potencojnë momentet në të cilat ndjehen të dëmtuar me vendimet e arbitrave, që sipas tyre kanë ndikuar direkt në rezultatin final të takimit. Tetovarët vlerësojnë kriterium të dyfishtë të kryesorit Meçkarovski prej fillimit, ndërsa rasti i parë më pikant është minuta e 33-të kur i falet kartoni i dytë i verdhë mbrojtësit të Vardarit, Glishiq, që do të linte vendasit me 10-të lojtarë në fushë.
Në minutën e 43-të tetovarët pretendonin penalti pas faulit në zonë ndaj Totres, ndërsa kontestohet edhe fauli i dhënë për Vardarin në minutën e 78-të nga i cili erdhi edhe goli i barazimit. Rasti i fundit ku Shkëndija pretendon se u dëmtua ishte në minutën e 89-të kur një futbollist vendas preku topin me dorë në zonën e rrezikut, ndërsa arbitrat nuk referuan penalti.
Nga KF Shkëndija kërkojnë nga Komisioni për Arbitrim pranë Federatës së futbollit të Maqedonisë që të merr masa konkrete në lidhje me këto parregullsi dhe referime të këtilla të njëanshme mos të përsëriten në të ardhmen.