Skuadra e Mançester Sitit mbrëmë pësoi një disfatë të papritur nga skuadra e “League One”, Uigan në kuadër të FA Kupës, ndërsa një gjë e tillë kishte nervozuar tej mase futbollistët e skuadrës kryesuese në Premierligë, gjë kjo që u vërejt edhe pas përfundimit të takimit.
Menjëherë pas fërshëllimës së fundit të arbitrit kryesor tifozët e skuadrës vendase kishin pushtuar fushën për të festuar me futbollistët e tyre, por në një moment, njëri prej tifozëve ishte konfrontuar me sulmuesin argjentinas të Sitit, Serhio Aguero.
Ky i fundit nuk mbeti aspak imun, duke ju përgjigjur tifozit të Uigan, ndërsa për një çast e gjithë kjo skenë na përkujtoi ato pamje të paharrueshme nga ndeshja Serbi – Shqipëri, kur të njëjtën gjë kishte edhe kapiteni legjendar i kombëtares shqiptare, Lorik Cana.
Falë intervenimit të shokëve të skuadrës si dhe futbollistëve të Uigan, nuk ndodhi ndonjë incident edhe më i madh, ndërsa me siguri se ditëve në vijim Federata Angleze e Futbollit do të nisë edhe një hetim ndaj skuadrës së Uigan për pushtimin e fushës nga tifozët e saj.