Dy pretendentët për titullin e kampionit, Shkëndija dhe Vardari do të kenë një tjetër përplasje, kur të mërkurën do të përballen ndërmjet veti në kuadër të ndeshjes së parë çerekfinale të Kupës së Maqedonisë. Në këtë ndeshje të dyja ekipet vinë fillimisht pas një barazimi ndërmjet veti dhe fitoreve identike ndaj Shkupit gjegjësisht Pobedës. Të paktën këtë javë lënë pas kampionatin dhe vëmendjen e kthejnë kah Kupa e Maqedonisë, një garë jo me rëndësinë e kampionatit, por gjithsesi një objektiv i të dyja ekipeve që haptasi e kanë shprehur ambicien për të fituar trofeun.
“Sigurisht se janë dy ndeshje dhe sigurisht që Shkëndija shkon ta kalojë edhe Vardarin. Një përparsi e vogël është që ndeshjen e parë e luajmë në Shkup dhe këto ndeshje eliminatore është me rëndësi të shënohet gol si mysafir”, ka thënë trajneri i Shkëndijës, Qatip Osmani.