Barcelona e Lionel Messit me hapa të sigurtë po ecën drejt titullit kampion në Spanjë, duke lënë me plotë 17 pikë mbrapa rivalin e përjetshëm, Realin e Madridit. Megjithatë edhe përkundër këtij fakti Kristiano Ronaldo ka se me çfarë të lëvdërohet para yllit argjentinas të skuadrës “katalunase”.
Të dhënat statistikore të këtij sezoni flasin se bartësi i “Topit të Artë” shënon më shpesh se Messi deri në këto momente të sezonit aktual. Ronaldo ka shënuar 26 gola në gjithsej 29 ndeshje të zhvilluara në të gjitha kompeticionet, që i bie se mesatarisht portugezi shënon në çdo 97 minuta. Na anën tjetër Lionel Messi ka 27 gola në 37 ndeshje, apo një mesatare të golave të shënuar në çdo 115.6 minutash.
Të dielën Ronaldo shënoi një gol në fitoren 5:3 të Real Madridit në transfertën ndaj Betisit, teksa një ditë më herët Messi nuk arriti të bëjë një gjë të tillë në përballjen ndaj Eibar, në të cilën ndeshje Barcelona shënoi fitore me rezultatin 2:0. Leo Messi megjithatë kryeson ndaj Ronaldos, kur janë në pyetje shtyllat e goditura këtë edicion, gjithsej 15-të.