Super ndeshje në Manastir, Rabotniçki dorëzohet para Pelisterit (VIDEO)

Pelisteri dhe Rabotniçki kanë zhvilluar një super ndeshje në Manastir në kuadër të javës së 20-të, ku në fund fitores me rezultatin 3:2 iu gëzua skuadra vendase, njofton “infOSport.mk”. Ndeshja nuk paralajmëroi një gjë të tillë, pasi ishin “romantikët”, ata të cilët të parët avansuan me golin e shënuar nga Hristijan Kirovski, edhe atë vetëm pas 3 minutave lojë.

Vendasit barazuan në minutën e 24-të nga pika e bardhë, të cilën e shkaktoi mbrojtësi shqiptarë Gëzim Krasniqi, i cili në mënyrë të palejuar ndërhyri ndaj Naumovskit. I saktë nga 11-të metërshi doli të jetë ish “romantiku” Borçe Manevski, i cili në këtë mënyrë realizoi edhe golin e dytë gjatë stinorit pranveror, pas atij goli të shnëuar në mesjavë ndaj Pobedës.

Nuk vonoi shumë dhe 4 minuta më pas Riste Ilijovski me kokë mposhti edhe për herë të dytë Bozhinovskin, duke bërë që pjesa e parë të mbyllet me shifrat 2:1 në favor të Pelisterit.

Ky rezultat ishte valid deri në minutën e 84-të, kur në skenë doli sulmuesi nigerian, Çarls Çinedu për të barazuar shifrat në 2:2, mirëpo ishte një super gol i Ive Trifunovskit në minutën e 87-të që i siguroi fitoren Pelisterit në këtë përballje mjaft interesante, ku fituesi nuk dihej deri në momentet e fundit të takimit.

Me këtë fitore Pelisteri largohet nga zona e ftohtë dhe aktualisht mban pozitën e 7-të me 20 pikë, po aq sa kanë edhe Renova dhe Pobeda në pozitat 8 dhe 9. Sa i përket Rabotniçkit, skuadra e trajnerit Stankovski mbetet në pozitën e 6-të me 24 pikë të tubuara.

Foto: gol.mk

Leave a Reply