Rikthimi i Erkan Seferit te Futsal Shkupi ka rikthyer edhe më shumë ambiciet e skuadrës nga Çairi për të mbrojtur titullin e kampionit të fituar vitin e kaluar në elitën e futsalit vendor. Bomberi i “bardhekaltërve” në dy ndeshjet e para të stinorit pranveror shënoi 6 gola, duke ndihmuar skuadrën e tij për të shënuar fitore të lehta përballë Mal Ajaksit, gjegjësisht Zhelezarecit, njofton “infOSport.mk”. Në fitoren 1:5 në Shtip ndaj Mal Ajaksit goleadori i Futsal Shkupit realizoi 4 gola, teksa dy të tjerë shtoi në fitoren 2:7 ndaj Zhelezarecit.
Ai shpreson se me ritmin e njëjtë të golave do të vazhdojë edhe në ndeshjen e sotme, në të cilën në fund shpreson që Futsal Shkupi ti gëzohet fitores.
“Do të jetë një ndeshje e vështirë, ku mejdanin do të ndajnë dy skuadrat më të mira për momentin në futsalin vendor. Do të doja të ndihmoja skuadrën time duke shënuar edhe në këtë ndeshje, mirëpo me më rëndësi do të jetë që në fund të dalim fitues dhe të rrëmbejmë pozitën e parë, të cilën edhe e meritojmë” – tha enkas për “infOSport.mk”, Erkan Seferi.
Ndeshja ndërmjet Futsal Shkupit dhe Velesit starton në ora 18:30 dhe e njëjta do të zhvillohet në palestrën “Enver Idrizi” në lagjen Serava, ndërsa dyshja e arbitrave do të jenë Jospi Barton nga Tetova dhe Petar Mantev nga Negotina.