Pas lajmit të pasdites, se inspektorët e UEFA-s që janë marrë me hetimin e dosjes së Skënderbeut, janë kërcënuar nga persona të lidhur me klubin korçar, ka ardhur edhe reagimi i këtyre të fundit.
Në një deklaratë zyrtare, bardhekuqtë mohojnë akuzat për kërcënim dhe nxisin ndjekjen e hetimeve deri në fund, ndërsa theksojnë se dokumentin zyrtar në media, nuk e ka shpërndarë klubi Skënderbeu, por vetë zyra e UEFA-s, për media sportive në Shqipëri.
“Duke marrë shkas nga lajmi i publikuar së fundmi në portalin e UEFA-s, Klubi i Futbollit ‘Skënderbeu’ mohon kategorikisht dyshimet dhe akuzat se persona të lidhur me klubin kanë kërcënuar me jetë inspektorët e organizatës europiane të futbollit. Një veprim i tillë është totalisht jashtë natyrës së qetë, qytetare dhe ‘Fair-Play’ të klubit tonë dhe drejtuesve më të lartë të ekipit. Nëse ka pasur kërcënime, atëherë KF Skënderbeu inkurajon organet përkatëse t’i shkojnë deri në fund çështjes. Përsa i përket shqetësimit të shfaqur nga UEFA në lidhje me publikimin e informacioneve dhe raporteve, Klubi i futbollit ‘Skënderbeu’ mohon të ketë shpërndarë raportin, duke njohur natyrën konfidenciale të tij. Raportet e shfaqura në media kanë dalë nga zyrat e UEFA-s për media të caktuara sportive në Shqipëri. Faleminderit për mirëkuptimin”.