Ish futbollisti i Shkëndijës, Ersen Sali, i është kundërpërgjigjur kapitenit të Vardarit, Boban Grnçarov, lidhur me shkrimin e tij në “facebook” pas përfundimit të ndeshjes gjysmëfinale në Tetovë, Shkëndija – Vardari.
Në këtë ndeshje skuadra shkupjane shënoi fitore minimale (0:1), mirëpo edhe përkundër këtij fakti ata u eliminuan nga skuadra shqiptare, e cila në ndeshjen e parë në Shkup kishte mundur Vardarin me rezultatin 3:1.
Si duket i tërbuar nga ky fakt, por edhe për kartonin e kuq që mori pas zënkës që pati me kapitenin vendas, Ferhan Hasani, ish reprezentuesi i Maqedonisë, Boban Grnçarov në profilin e tij në “facebook” menjëherë pas përfundimit të ndeshjes kishte shkruar: “Andaj Vardari për ju është Real Madrid, ku ti zësh, rahi (fitoi)”.
Këtij shkrimi në mënyrën më të mirë iu kundërpërgjigj ish futbollisti i Shkëndijës, shkupjani, Ersen Sali, i cili po në të njëjtën mënyrë, përmes një shkrimi në profilin e tij në “facebook” i replikoi Boban Grnçarovit me fjalët si në vijim: “Kur Shkëndija për ju ishte Real Madrid, ia ndërroi emrin prej Vardar në Miravci!”.
Ersen Sali është pjesë nga ajo gjeneratë e artë e Shkëndijës, kur skuadra tetovare u shpall kampione e Maqedonisë në vitin 2011-të.