Lajmi i paralajmëruar orë më parë nga ana e “infOSport.mk”, lidhur me transferimin e mbrojtësit austraiak, tashmë u bë edhe realitet.
FC Shkupi ka goditur fuqishëm në ditën e fundit të afatit kalimtar të janarit, pasi në orët e fundit arriti që të sigurojë firmën e qendër mbrojtësit austriak me prejardhje nga Bosnja e Hercegovina Toni Tipuriç.
Ai te skuadra nga Çairi vjen si agjent i lirë, ndërsa ka firmosur kontratë 18 mujore dhe vetëm në ditët në vijim do i bashkohet ekipit.
Mbrojtësi korpulent nga Austria, Tipuriç është 27 vjeçar dhe luan në pozitën e qendërmbrojtësit.
Mbrojtësi shtatlartë (1.90 cm) që është lindur në Sarajevë, hapat e para të karrierës i ka shënuar në futbollin austriak te skuadra Post Vien, pas së cilës ka luajtur për skuadrat e njohura të Superliges së Austrisë, si Admira Vjenë e Austria Lustenau, para se të kalojë në Pemier e futbollit estonez te skuadra e Levadias, ku ka shënuar 18 paraqitje dhe ka shënuar 5 gola.
Kjo ka sjellë angazhimin e tij te skuadra Zlate Moravce në Ligën e Parë të Sllovakisë, ku ka qëndruar një sezon dhe më pas kalon në ligën më të mirë kroate te Cibalia, prej ku ka marrë ftesë për të luajtur në Ligën e Parë të Rumunisë te skuadra e Konkordia Çajna. Edhe pse ishte i kërkuar nga shumë klube elitare nga Evropa dhe Liga e Parë e Maqedonisë, Toni Tipuriç zgjodhi të vesh fanellën e FC Shkupit.