Policia italiane ka arritur të zbardhë ngjarjen e shëmtuar të një jave më parë, kur një futbollist shqiptar, 22-vjeçari Aldi Shpijati, u godit me thikë pas një zënke në parking.
Policia ka bërë të ditur se ka arrestuar dy shtetas italianë, të moshës 20 dhe 36 vjeç me akuzën e tentativës së vrasjes, pasi ata kanë goditur Shpijatin, duke i rrezikuar jetën, sepse ai përfundoi në reanimacion në gjendje kritike për shkak të plagëve që kishte marrë.
Personat e arrestuar janë të dy këngëtarë të muzikës rap në Itali, një prej të cilëve me nofkën “Malakarne”. Atij iu gjetën si provë në shtëpi rrobat e përgjakura pas ngjarjes, ndërsa në fakt ishte 20-vjeçari Juri Marxhini ai që kishte goditur me thikë futbollistin shqiptar.
Ky i fundit kishte ndërhyrë për të ndarë zënkën mes dy këngëtarëve dhe një shoku të tij, por kishte mbetur i plagosur rëndë pasi e kishin goditur me thikë disa herë në bark dhe gjoks. (vipsport)