Flamurtari humbi nga Skenderbeu me rezultat 1:0, ndërsa në këtë ndeshje debutoi futbollisti shkupjan Muarem Muaremi. Blerja më e bujshme e merkatos së dimrit, u përfshi titullar në këtë sfidë, ndërsa u duk jo në formë e tij më të mirë, por megjithatë Duro e komentoi pas ndeshjes.
“Muarem është një lojtar që qetëson skuadrën kur merr topin, pavarësisht se vjen pas një dëmtimi dhe nuk është në 100% të formës së tij. Gjithsesi, si ndeshje e parë, unë jam i kënaqur dhe jam i bindur që ai lojtar ka cilësi dhe do të na ndihmojë shumë”, u shpreh Shpëtim Duro.
Numri i stafit teknik te Flamurtari komentoi edhe ndeshjen.
“Luanim ndaj një skuadre si Skënderbeu dhe e kishim parashikuar që do të ishte një ndeshje që do të ndahej nga një rezultat i ngushtë, pasi luanin dy ekipe që po kalojnë një moment të vështirë. Kam keqardhje pasi u ndëshkuam në një mënyrë, që zakonisht nuk vuajmë, por edhe për faktin se kishim mundësi reale për të fituar. Gjithsesi, ne nuk kemi presionin e titullit, pasi jemi skuadër e re, por do ishte më mirë që kampionatin të ishte i hapur. Nuk jam i mërzitur, pasi jam i bindur që nuk e meritonim humbjen, ndonëse ka ende dhe 17 javë dhe do të vijojmë të japim maksimumin”, tha Duro.