Ish-mesfushori i kombëtares gjermane dhe njëherit i skuadrës shumë herë kampione të Bajernit të Munihut, Shtefan Efenberg propozoi disa ide radikale për të rigjallëruar Bundesligën dhe për t’i dhënë fund dominimit të Bajern Munihut.
Pas një nisjeje të keqe sezonale që solli shkarkimin e trajnerit italian Karlo Ançeloti, skuadra “bavareze” tani duket e pandalshme drejt titullit të gjashtë radhazi, me një diferencë impresionuese prej 18 pikësh me ndjekësit më të afërt, kur në elitën e futbollit gjerman kanë kaluar 21 javë.
Bajern Munihu është një superfuqi në Bundesligë dhe me hendek të madh në cilësi me rivalët, e pikërisht për këtë Efenberg, i cili gjatë karrierës së tij numëron tre tituj kampion pikërisht me Bajernin e Munihut, beson se i gjithë divizioni ka nevojë për ridimensionim.
Duke folur në kolonën e tij të përjavshme në portalin “T-Online”, 49-vjeçari detajoi një plan që shpreson se do të marrë aprovimin, dhe do të ndajë në dy grupe ekipet e Bundesligës.
Sipas idesë së Efenberg, 4 skuadrat e para në çdo grup, do të formojnë më pas grupin A që do të diskutojë titullin dhe grupi tjetër do të luftojë për mbijetesën në Bundesliga.
“Kështu kampionati nuk do të mund të vendoset në muajin Shkurt ose Mars, pasi në janar, të gjithë klubet do ta nisin nga kuota zero pikë në renditje. Kjo premton aksion në çdo ndeshje dhe adrenalinë për tifozët, për ata që ekipin do ta kenë në vallen e titullit dhe ata që luajnë mbijetesën”, tha Shtefan Efenberg.
Asnjë skuadër tjetër nuk ka fituar Bundesligën veç Bajernit të Munihut, që kur Jurgen Klop inspiroi Borusian e Dortmundit dhe për dy vite rradhazi (2011, 2012) u shpall kampion i Gjermanisë.