Sot Komuniteti i gazetarëve sportiv në Kosovë ka humbur punëtorin shumë vjeçar Agim Binaku. Ai vdiq në moshën 62 vjeçare pas një sëmundjeje të shkurtër.
Agim Binaku ishte zëvendësdrejtor i programit informativ të RTV 21 dhe redaktor përgjegjës i redaksisë së sportit të RTV 21, pjesë e së cilës ishte që nga fillimet e tij tash e gati dy dekada.
Binaku realizoi mijëra emisione, transmetime të drejtpërdrejta, dokumentarë, reportazhe, intervista me emra të mëdhenj të sportit kosovar, por edhe atij botëror. Në vitet ‘70 dhe ‘80 punoi në Radio Prishtinë, duke drejtuar emisionin e popullarizuar “Pasditja argëtuese sportive” në epokën e artë të sportistëve kosovarë.
Në vitet 90-të ishte themelues dhe kryeredaktor i revistave të para sportive në Kosovë “ Reflekset sportive” dhe “Top sporti”.
Agim Binaku u nderua në Tiranë me çmimin mbarëkombëtar të gazetarisë sportive “Anton Mazreku” si dhe u nderua me një varg mirënjohjesh për punën e tij mbi katër dekada në gazetarinë sportive.
Mbledhja komemorative në nderim të Agim Binakut do të mbahet nesër në Sheshin 21 në orën 10:30, ndërsa varrimi nesër në varrezat e qytetit në Prishtinë në orën 12:00.