Besart Ibraimi vazhdon me formën e tij të mirë edhe këtë edicion me fanellën e Shkëndijës, teksa kryeson listën e golashënuesve me 16 gola të shënuar, njofton “infOSport.mk”.
Bomberi kërçovar kryeson bindshëm listën e golashënuesve, duke lënë pas vetes me 4 gola më pak sulmuesin e Sileksit, Iigor Nedeljkoviç, që renditet i dyti, ndërsa në vendin e tretë sa u përket golave të shënuar renditet një tjetër futbollist i Shkëndijës, kapiteni Ferhan Hasani.
Ky i fundit ka shënuar 11 gola, ndërsa bashkë me Besart Ibraimin përbëjnë dyshen më të mirë në elitën e futbollit vendor, duke tejkaluar plotë 5 skuadra kur janë në pyetje golat e shënuar.
Dyshja Ibraimi-Hasani së bashku kanë shënuar 27 gola, një numër ky më i lartë se ai i golave të shënuar nga skuadrat si, Renova (24 gola), Bregallnica (23 gola), Makedonija Gj.P (22 gola), Pobeda (21) dhe Shkupi (19).
Në krahasim me Pelisterin, dyshja sulmuese e Shkëndijës ka shënuar vetëm një gol më pak, pasi futbollistët nga Manastiri në 27 ndeshje të zhvilluara kanë shënuar 28 gola.