Paulo Dybala do të largohet nga Juventusi në fund të sezonit. Hijet e dyshimit hidhen nga revista e përjavshme “Chi”, e cila ka zbuluar se sulmuesi argjentinas nuk ka zgjatur marrëveshjen me pronarët e vilës së tij luksoze në Torino, pasi dëshiron të ndryshojë ambient në përfundim të kampionatit.
Por cili do të jetë destinacioni i ri i 24-vjerçarit? Po sipas “Chi”, argjentinasi do t’i bashkohet bashkombësit të tij, Lionel Messi, te Barcelona.
Dybala e nisi mirë sezonin, por me kalimin e javëve rendimenti i tij pati një rënie drastike, aq sa Allegri ishte i detyruar ta ulte shpeshherë në stol. Për ta komplikuar edhe më shumë situatën e tij, pësoi edhe disa dëmtime që nuk e lejuan të stërvitej në vazhdimësi. Momentalisht është në infermieri për arsye dëmtimi, por sikurse informon “Chi” vitin e ardhshëm mund ta shohim me fanellën “blaugrana”.