Atl. Madridi gjysmëfinalisti i parë, Reali dhe Bajerni në vazhdime (VIDEO)

Atletiko Madridi është ekipi i parë që ka siguruar një vend për në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, pasi sonte në ndeshjen e kthimit të zhvilluar në Angli barazoi 1:1 ndaj kampionëve të Lesterit, të cilët në ndeshjen e parë në “Visente Kallderon” kishin pësuar me rezultatin 1:0, njofton “infOSport.mk”.

Në këtë mënyrë skuadra e Diego Simeones me rezultatin e përgjithshëm 2:1 u kualifikua për më tej, duke i dhënë fund aventurës së këndshme evropiane të Lesterit.

Saul Niguez në minutën e 26-të kaloi në epërsi Atletiko Madridin, derisa golin e barazimit për Lesterin e realizoi Xhejmi Verdi në minutën e 61-të. Ky gol ngjalli shpresat e kampionëve në fuqi të Anglisë, mirëpo deri në fund nuk i’a dolën të thyejnë mbrojtjen e çeliktë të skuadrës së Diego Simeone, i cili edhe njëherë tjetër me skuadrën e tij po arrinë në mesin e katër skuadrave më të mira evropiane.

Një vend tjetër për në këtë fazë në këto momente po kërkojnë edhe Rreali i Madridit dhe Bajerni i Munihut, skuadra këto që po zhvillojnë minutat shtesë, dy herë nga 15 minuta, pasi sonte në “Santiago Bernabeu”, Bajerni i Munihut pas 90 minutave lojë arriti që të avansojë 2:1 ndaj Realit, rezultat ky që në ndeshjen e parë në “Alian Arena” u takonte “mbretërve”.

Në këtë mënyrë vetëm 30 minutat shtesë mund të vendosin udhëtuesin e dytë për në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, në të kundërtën do të jenë penaltitë ata që do vendosin një gjë të tillë.

Leave a Reply