Ish futbollisti i Kombëtares italiane dhe Romës, Luigji Di Biaxho edhe zyrtarisht do të udhëheq Kombëtaren italiane të futbollit. Ai në krye të “axurrëve” do të jetë deri në qershor të këtij viti, ndërsa pritet që të udhëheq Italinë në ndeshjet miqësore të muajit mars kundër Argjentinës (23 mars) dhe Anglisë (27 mars).
Ky është vendimi i fundit i Federatës italiane, pas takimit të sotëm me Di Biaxhon, i cili është një zgjidhje e përkohshme, teksa si kandidat kryesor për të marrë drejtimin e Italisë në periudhën 2018-2020, mbeten Antonio Konte dhe Roberto Mançini.
Rikujtojmë Luigji Di Biaxho në karrierën e tij si trajner deri më tani ka udhëhequr Italinë U20 dhe U21, ndërsa do të jetë kjo hera e parë që do të udhëheq ekipin e parë kombëtarë, për të cilën si futbollist ka zhvilluar 31 ndeshje.