Shkëndija me impresione shumë pozitive është larguar nga baza dy javore në Antalia, me bindje se këto përgatitje do të jenë bazament i fortë që në fund të sezonit të rrëmbejnë titullin e kampionit.
Skuadra tetovare realizoi disa përgatitje shumë të suksesshme në tokën turke, ku përveç stërvitjeve të forta zhvilloi edhe 4 ndeshje miqësore, duke realizuar dy fitore, një barazim dhe një disfatë.
Shkëndija mundi ukrainasit e Olimpik Donjetsk (4:1) dhe azerët e Gabalas (2:0), barazoi pa gola ndaj gjigandëve kroat të Dinamo Zagrebit, ndërsa disatën e fundit e përjetoi që në ndeshjen e parë ndaj skuadrës së njohur zvicerane të Cyrih.
Pas rikthimit në Tetovë ata do të kenë një ditë të lirë, që më pas të vazhdojnë me stërvitjet e zakonshme deri në startin e sezonit pranveror, kur skuadra e trajnerit Qatip Osmani në teren vendas do të mirëpret rivalin e madh, Vardarin.