Të gjitha klubet përpiqen të rikuperojnë gabimet e bëra në merkaton e verës dhe jo rrallë herë ndodh që skuadrat e fillojnë pjesën e dytë të sezonit me një ekip thuajse 50% të ndryshuar.
10 skuadrat e Superiores shqiptare afruar në total këtë dimër 57 lojtarë, mesatarisht nga 5 lojtarë të rinj secila. Ata që bien në sy në këto lëvizje janë lojtarët me origjinë nga Maqedonia, shqiptarë ose jo, në futboll ata mund të luajnë si vendas, duke mos u konsideruar të huaj.
“Me ndryshimet në rregulloren e këtij viti edhe lojtarët nga Maqedonia përveç atyre kosovar luajnë si futbollist shqiptar”, shprehet Lysjen Nyrishmi, shef i garave në FSHF.
Ky ndryshim i rregullores ka patur një efekt të madh në merkaton e sezonit 2017/2018 për futbollin profesionist shqiptar ku përfshihet kategoria Superiore dhe ajo e Parë. Gjithsej në këtë sezon aktivizohen 30 lojtarë nga Kosova dhe 21 nga Maqedonia, ndërkohë sa i përket të huajve, shteti numër 1, që furnizon futbollin shqiptar mbetet Nigeria me 26 lojtarë i ndjekur nga Brazili me 14 lojtarë.
Ky orientim i vitit të fundit të merkatos drejt rajonit si Kosova apo Maqedonia, veç niveli tekniko taktik që mund të jetë i njëjtë apo më i lartë, se futbollistët vendas, vjen edhe për shkaqe financiare.
Kryesisht futbollistët nga Maqedonia apo Kosova kanë një nivel pagash mw tw ulwt. Dhe si për të vërtetuar mungesën e likuiditetit financiar në futbollin vendas, thuajse të gjitha lëvizjet e kësaj merkatoje dimërore, janë bërë me 0 lek, duke qenë se janë marrë futbollistë me kontrata të skaduara. (Top Channel)