Pas prezantimit të sulmuesit Amido Balde, Kukësi ka goditur sërish në merkato, duke sjellë kësaj rradhe një futbollist nga Gjermania. Bëhet fjalë për mesfushorin 23-vjeçar, Lavdrim Ebipi, i cili pasditen e sotme u bashkua me ekipin nga verilindja e Shqipërisë. Ebipi u prezantua në ambientet e klubit kuksian nga ana e drejtorit sportiv, shkupjanit Nderim Nexhipi si dhe menaxherit të përgjithshëm, Naim Halili.
Pavarësisht moshës së tij, Ebipi ka një karrierë të pasur në Zvicër dhe në Gjermani. Karrierën e nisi në ekipin zviceran, Kreuzlingen, që më pas të transferohet te skuadra e Vohlen, para se të kalonte te ekipi i Brul.
Gjermanët e Oldenburg e morën të riun për ta huazuar përsëri te ekipi i ligës së tretë zvicerane, Juventus, por në janar ai u largua përfundimisht nga Oldenburg për të firmosur me ekipin e Kukësit.