Emir Sahiti është shumë pranë transferimit te skuadra e njohur kroate e Hajduk Split, njofton “infOSport.mk”. Ish futbollisti i Rabotniçkit ndodhet në Kroaci, ndërsa kanë mbetur vetëm edhe disa detaje të vogla, që ai më në fund të prezantohet si futbollist i ri i skuadrës gjigande kroate.
Futbollisti me origjinë kosovare që njëkohësisht posedon pasaportën shqiptare, pjesë e Rabotniçkit ishte që dy vite e gjysmë, duke zvilluar plotë 35 ndeshje, dhe duke realizuar një gol.
Kujtojmë që talenti kosovar, me 15 shkurt të vitit 2017-të ishte shumë pranë firmosjes së kontratës me gjigandët kroat të Dinamo Zagrebit, mirëpo deri te një marrëveshje mes palëve nuk erdhi për shkak të një lëndimi të futbollistit, që nuk ishte vërejtur nga stafi mjekësor i klubit nga “Debar Maalo”.
Tashmë ai ndodhet pranë dyerve të skuadrës rivale të Dinamo Zagrebit, Hajduk Split, ku do të bashkohet me dy futbollistët tjerë shqiptarë, Hysen Memolla dhe Ardian Ismajli. Hajduku stinorin vjeshtor në elitën e futbollit kroat e mbylli në pozitën e dytë me 38 pikë, 12 më pak se liderët aktual të Dinamos.