Elif Elmaz ka debutuar sonte me fanellën e Fenerbahçes në Superligën e Turqisë, njofton “infOSport.mk”. Futbollisti i talentuar shkupjan u inkuadrua në lojë nga bankina në barazimin 1:1 të skuadrës së tij në transfertën e vështirë ndaj Trabzonsporit. Elmaz u fut në lojë në minutën e 64-të, kur zëvendësoi Hasan Ali Kaldirim, ndërsa 20 minuta më pas skuadra e tij barazoi shifrat falë golit të shënuar nga braziliani Souza, i cili me kokë shënoi në rrjetën e Kivrak.
Ndryshe Trabzonspori kishte kaluar në epërsi në minutën e 58-të me anë të Burak Jilmaz, futbollist ky i cili në vijim të ndeshjes pati edhe dy raste ideale për ti dhruar fitoren skuadrës së tij.
Me këtë barazim Trabzonspori mbetet në pozitën e 5-të me 31 pikë, ndërkohë Fenerbahçe me 37 pikë renditet në pozitën e tretë.