Shkëndija ka shënuar fitore 4:1 në ndeshjen e dytë kontrolluese në Antalia të Turqisë ndaj ukrainasve të Olimpik Donjetsk, njofton “infOSport.mk”. Shkëndija dominoi ndeshjen që nga fillimi, ndërsa goli i parë erdhë në minutën e 11-të, kur pas një aksioni të saktë mes Ibraimit dhe Radeskit, braziliani Zhunior shënoi për 1:0. Shkëndija edhe pas këtij goli vazhdoi të sulmojë, mirëpo edhe përkundër rasteve të krijuara, në pushim u shkua me vetëm një gol.
Në fillim të pjesës së dytë pas një rëmuje në zonë ukrainasit barazuan rezultatin në 1:1 me anë të Shastlivtsev, ndërsa këtij goli Shkëndija iu kundërpërgjigjë shumë shpejtë, vetëm tre minuta më pas, kur në minutën e 57-të Radeski shfrytëzoi një top të devijuar të portierit kundërshtarë dhe nga afërsia shënoi për 2:1.
Trajneri Osmani në vazhdim bëri disa zëvendësime, duke shfrytëzuar këtë përballje për të provuar skema të caktuara me futbollistë të ndryshëm, ndërsa pozitiv ishte fakti që imazhet në fushë mbetën të njëjta me dominim të plotë të futbollistëve “kuqezi”. Pas disa mundësive të humbura në minutën e 73-të Ibraimi gjendet mirë në zonë dhe me përfundim të suksesshëm çon shifrat në 3:1. Pesë minuta para fundit të takimit i riu Shefit Shefiti bukur rëmben topin nga kundërshtari, para se me një të majtë precize të realizojë për 4:1. Kështu kuqëzinjtë kalojnë me sukses edhe këtë kontrolluese, ndërsa ndeshjen e rradhës Shkëndija do ta zhvillojë me 30 janar përballë Dinamos së Zagrebit të Arian Ademit.