Për Federatën Italiane të Futbollit do të jenë 3 kandidatë në garë për të marrë presidencën.Cosimo Sibilia, Damiano Tommasi dhe Gabriele Gravina kanë nisur prej kohësh fushatën që do të kulmojë me procesin e së hënës dhe 3 aspirantët ndaj fronit në futbollin e apenineve, pretendojnë se përcjellin secili, risi dhe projekte inovative.
Në një forum të Gazzeta Dello Sport, 3 kandidatët diskutuan programet e tyre elektorale që diferencojnë jo pak. Damiano Tomazi, ish mesfushori i përfaqësueses dhe Romës, do ti jepte prioritet skuadrave të dorës së dytë.
“Duhet një sistem për ta përshtatur menjëherë pasi rezultatet do t’i shohim pas disa vitesh. federata duhet të drejtohet si një klub profesionist”, tha Tomazi. Ndërkohë prioriteti për Gabriele Gravinën në poltronën komode të FIGC, do të jetë qëndrueshmëria e sistemit dhe shpërndarja më e mirë e të ardhurave. Për këtë kandidat është thelbësore gjithashtu, vlerësimi i të rinjve dhe rinovimi i infrastrukturës në stadiumet italiane.
Sibilia ndërkohë kërkon norma më të ashpra për regjistrimin në kampionatet profesioniste. Kjo sipas tij duhet të bëhet për të evituar falimentime të bujshme si Parma, Modena, Viçenca apo edhe së fundmi Akragas.