Të mërkurën duke nisur nga ora 12:00, në Lozanë të Zvicrës do të hidhet shorti i Ligës së Kombeve. Pasi janë përcaktuar ligat ku do të luajnë skuadrat dhe vazot në të cilat janë pozicionuar, nga përzieja e goglave do të mësohen kundërshtarët e Maqedonisë, Shqipërisë dhe Kosovës në këtë kompeticion, që do të zhvillohet çdo dy vjet dhe ku do të marrin pjesë të gjitha skuadrat europiane.
Maqedonia me Kosovën ndodhen në Ligën D, ndërsa Shqipëria në C. Kuqezinjtë janë në vazon e dytë, së bashku me Greqinë, Serbinë dhe Norvegjinë. Kundërshtarët e mundshëm të Kombëtares janë Hungaria, Rumania, Skocia dhe Sllovenia në vazon e parë; Mali i Zi, Izraeli, Bullgaria dhe Finlanda në vazon e tretë dhe Qipro, Estonia dhe Lituania në vazon e katërt.
Gjatë shortit, skuadrat do të ndahen në një grup me tre ekipe, ku do të jenë vetëm përfaqësueset e tre vazove të para dhe tre grupe të tjera me nga katër. Katër fitueset e secilit grup do të ngjiten në Ligën B, ndërsa katër ekipet e vendeve të fundit do të zbresin në Ligën D për edicionin e vitit 2020.
Gjithashtu, katër skuadrat me pozicionimin më të mirë në renditje dhe që nuk janë kualifikuar për finalet e Euro 2020, në muajin Mars do të luajnë në fazën “play-off” për të përcaktuar një biletë drejt Kampionatit Europian.