Futsal Shkupi vitin 2018-të e ka nisur me “Manita”. Skuadra nga Çairi në ndeshjen e 1/8 së finales mundi Astibon midis Shtipit me rezultatin 1:5, duke vazhduar kështu me plotë meritë për në ndeshjet çerekfinale të Kupës së Maqedonisë, njofton “infOSport.mk”.
Të përzgjedhurit e trajnerit Zoran Lekiq ishin superior sonte në këtë transfertë, duke dominuar në tërësi kundërshtarin, i cili nuk mund të gjente kundërpërgjigje për lojën e shfaqur nga ana e bardhekaltërve.
Fitoren e Futsal Shkupit e paralajmëroi Bejtulla Jakupi, për të dyfishuar më pas Ismet Ceka, i cili gjatë pjesës së dytë realizoi edhe një gol tjetër, ndërsa në listën e golashënuesve u regjistruan edhe Eroll Dalip dhe kapiteni Orhan Ibishi.
Rikujtojmë Futsal Shkupi vitin e kaluar luajti në finalen e madhe, ku u mund nga rivali i tyre i madh Velesi, skuadër kjo e cila sonte u eliminua nga Shkëndija.
Është ky një rast i mirë për ekipin nga Çairi që këtë vit të kërkoj edhe këtë trofe që mungon në vitrinat e tyre, duke pasur parasysh se vitin e kaluar kjo skuadër arriti që të kurorëzohet me titullin e kampionit.