Edhe pse ende nuk ka ndonjë kontratë me Partizanin, Egzon Belica po merr besimin e trajnerit Sulejman Starova që nga minuta e parë në ndeshjet që kjo skuadër po i zhvillon në Antalia të Turqisë, në kuadër të fazës përgatitore për stinorin pranveror në Superligën shqiptare, njofton “infOSport.mk”.
Strugani ndodhet në prova dhe po vëzhgohet me shumë vëmendje nga ana e trajnerit Starova, i cili sot në takimin që skuadra e tij e zhvilloi ndaj skuadrës amatore gjermane, Berliner AK, besohet të ketë mbetur më se i kënaqur me angazhimin e futbollistit strugan, që pritet të jetë një zëvendësim për të larguarit Malota dhe Krasniqi në mbrojtjen e “Të Kuqve” nga Tirana.
Belica golin e parë në barazimin 2:2 ndaj Berliner AK e shënoi vetëm pas dy minutave lojë, ndërsa goli i dytë për Partizanin mbanë firmën e rezervistit Mala, që shënoi në minutën e 50-të.
Përveç Belicës, që nga minuta e parë edhe sot te Partizani luajti shkupjani Jasir Asani, ndërkohë gjatë pjesës së dytë Starova në lojë inkuadroi edhe brazilianin, Lukas Fereira Kardoso, që u transferua nga rradhët e Pelisterit.