FC Struga sot ka bërë goditjen e parë në merkato, duke sjellë në rradhët e veta një super futbollistë me përvojë të madhe nga ndeshjet e Ligës së Parë Futbollistike të Maqedonisë, njofton “infOSport.mk”.
Bëhet fjalë për futbollistin e krahut të majtë të mesfushës, Antonio Kalanoski, i cili te FC Struga vjen nga rradhët e Borecit, ndërsa pjesën më të madhe të karrierës së tij e ka zhvilluar nëpër skuadra të elitës së futbollit, duke qenë së fundmi pjesë e Sileksit, me të cilën skuadër vitin 2016-të zhvilloi dy ndeshje eliminatore në kuadër të Liga Europa. Futbollisti me origjinë nga Ohri me FC Strugën ka nënshkruar kontratë 6 mujore, me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër.
Ndryshe karrierën e tij e kishte nisur në vendlindje te skuadra e Ohrid 2004, për të vijuar më pas një aventurë me skuadrat shkupjane si Metalurgu, Lokomotiva dhe EuroMilku, ndërsa gjithashtu kishte veshur edhe fanellën e Napredokut të Kërçovës dhe Mladost Carev Dvor nga Prespa, raporton “infOSport.mk”.
Edhe pse vetëm 23-vjeçar Kalanoski pas vetes ka plotë 91 ndeshje në kuadër të Ligës së Parë, duke regjistruar edhe 10 gola. Ai pritet që ti bashkohet skuadrës që nesër, kur drejtuesit e klubit bashkë edhe me stafin do të kenë një takim me gjithë futbollistët, ndërsa nga e mërkura ata do të fillojnë edhe zytrtarisht me përgatitjet për stinorin pranveror. Duhet theksuar se futbollist i vetëm që është larguar nga rradhët e struganëve, është Boban Zdravevski, ndërsa gjithashtu skuadrën gjatë këtij gjysmësezoni do ta udhëheq trajneri i ri, Aleksandar Tançeski, i cili zëvendësoi strategun nga Manastiri, Nexhad Husein.