Federata e futbollit të Kosovës, sot ka zgjedhur laureatët më të dalluar në futbollin kosovar për vitin që lamë pas. Mesfushori i Salzburgut, Valon Berisha, është zgjedhur si futbollisti më i mirë për vitin 2017-të. Ai bëri një sezon të shkëlqyeshëm me skuadrën austriake, ndërsa gjithashtu ishte një ndër futbollistët më të mirë te përfaqësuesja e Kosovës, për të cilën kishte shënuar edhe golin e parë në eliminatoret e para historike, të vlefshme për Botërorin “Rusi 2018”.
Ndërkohë epiteti i futbollistit më të mirë në kuadër të Superligës së Kosovës u shpall, Florent Hasani. Sulmuesi Oto Xhon i Trepça ’89 fitoi epitetin e golashënuesit më të mirë, Genc Nuza u shpall si arbitri më i mirë pas debutimit të suksesshëm në arenën ndërkombëtare.
Klubi më i mirë dhe më “fer-plej” ishte skuadra kampione e Trepça ’89. Klubi më i mirë i futsallit u zgjodh Liburni, ndërsa lojtari më i mirë i futbollit në palestër doli të jetë, Halim Selmanaj.
Klubi më i mirë në konkurrencë të femrave u shpall, Hajvalia, ndërsa tri futbollistet më të mira u përzgjodhën Zelfije Bajramaj (1), Edona Kryeziu (2) dhe Verona Berisha (3).
Ndërkohë sa i përket formacionit më i mirë të vitit, është ky si në vijim: Faton Maloku, Armend Thaçi, Armend Dallku, Ardian Limani, Rron Broja, Hamdi Namani, Mentor Zhdrella, Xhevdet Shabani, Florent Hasani, Mirlind Daku dhe Genc Hamiti.