Skuadra kampione në fuqi e Kosovës në futboll, Trepça ’89 sot ka prezantuar trajnerin e ri, Gugash Magani. Pas stërvitjes së ekipit, ish trajneri i Teutës ka dalë edhe në një konferencë për mediat, duke bërë me dije se kërkon të fitojë trofe me ekipin e Trepçës nga Mitrovica.
“Kam arritur marrëveshje me kryesinë për gjysmën e mbetur të kampionatit me mundësi vazhdimi, vetëm nëse jemi mirë me pikë dhe rezultat. Nuk jam gjeni apo magjistar, por kam ardhur këtu të bëjë atë që di. Niveli i këtij ekipi që pashë në stërvitje, është e barabartë me një ekip të Superiores. Megjithatë këtu kam ardhur për trofe”, është shprehur Magani.
Trepça ’89 pjesën e parë të sezonit 2017/2018 në elitën e futbollit kosovar e mbylli në pozitën e 7-të me 27 pikë, 7 më pak se liderët e Llapit. Mirëpo edhe përkundër kësaj diference ata shpresojnë sërish të mbrojnë titullin e kampionit, të fituar vitin e kaluar nën drejtimin e strategut shkupjan, Zekirja Ramadani.