Skuadra ukrainase e Mariupol është në bisedime e sipër me mbrojtësin e Vardarit, Besir Demiri, raporton kanali televiziv “Football 1”, përcjellë “infOSport.mk”.
Edhe pse nuk jepen detaje rreth transferimit të mundshëm të Demirit te Mariupol, drejtuesit e kësaj skuadre me angazhimin e futbollistit shqiptarë shohin mundësinë për të zgjidhur problemin në krahun e majtë të mbrojtjes, ku Demiri vite me rradhë në kampionatin tonë vendor konsiderohet si një ndër më të mirët.
Gjatë pjesës së parë të sezonit aktual, trajneri i Mariupol, Babych Oleksandr haste në shumë probleme në anën e majtë të mbrojtjes, duke provuar shumë futbollistë, si
Evgeni Neplai, Aleksander Nasonov, Igor Tisçenko dhe brazilianin Eriks, mirëpo asnjëri prej tyre nuk ka arritur që të bind trajnerin e tyre, i cili po insiston në angazhimin e Besir Demirit.
Ky i fundit është në kontratë me Vardarin deri me 15 janar të vitit 2020, ashtu që për transferimin e tij drejtuesit e Mariupol do të duhet të paguajnë dëmshpërblim skuadrës shkupjane, pjesë e së cilës Demiri është nga fillimi i vitit 2017-të. Ai me Vardarin ka zhvilluar gjithsej 35 ndeshje, ndërsa gjithashtu numëron edhe dy ndeshje miqësore me përfaqësuesen “A” të Maqedonisë kundër Azerbajxhanit (3: 1) dhe Iranit (1: 3) në vitin 2016.
Paraqitjet e tij më të mira Demiri i kishte me përfaqësuesen shpresa të Maqedonisë, për të cilën ka zhvilluar gjithsej 13 ndeshje, përfshirë këtu edhe ato nga Europiani për të rinj në Poloni, ndërsa gjithashtu ka shënuar edhe një gol, pikërisht ndaj Ukrainës U21 në Kiev, kur falë golit të tij Maqedonia kishte shënuar fitore minimale, 1:0.