Panuçi i gatshëm për të ftuar në kombëtare shkupjanin 17-vjeçar!

Strategu italian i Kombëtares shqiptare, Kristian Panuçi që nga momenti që pranoi të udhëheq “kuqezinjtë” kishte premtuar se do të vëzhgojë nga afër gjithë talentët shqiptarë ane mbanë ku luajnë. Dhe si duket italiani po e mban fjalën e tij, pasi ditët e fundit ka nisur të ndjekë nga afër talentin 17-vjeçar nga Shkupi, Besir Baftijari, që aktualisht luan me Sparta Pragën në Çeki.

Ditë më parë “infOSport.mk” nisi një fushatë për zbulimin e talentëve të rinj, ndërsa ishte pikërisht emri i këtij talenti që u peshkua nga redaksia jonë, dhe si duket nuk kemi gabuar.

Federata Shqiptare e Futbollit kontaktet e para me futbollistin shkupjan i kishte bërë gjatë verës së vitit 2017-të përmes Driton Bytyqit, gjë të cilën për “infOSport.mk” e konfirmoi vetë përfaqësuesi i futbollistit të talentuar shkupjan.

Mesfushori i talentuar ka luajtur fillimisht me Kombëtaren e moshave U15 dhe U16 të Maqedonisë, ndërsa më pas ka vendosur të zgjedhë fanellën e Çekisë U16, ndërsa aktualisht mbron ngjyrat e Kombëtares U17.

Falë talentit të tij për shërbimet e shqiptarit filluan të interesohen edhe skuadrat gjigande si Bajern Munih, Juventus dhe Roma. Skuadra nga kryeqendra italiane e kishte ftuar atë në Itali, ku me sukses kishte kaluar provat, ndërsa gjithashtu për shërbimet e tij interes kanë shfaqur edhe skuadra angleze e Uatfordit, Frajburgu gjerman dhe skuadra franceze e Metz.

Trajneri Panuçi po mundohet që të bindë futbollistin tu bashkohet “kuqezinjëve”, pavarësisht se ka provuar dy fanella të tjera të ekipeve Kombëtare më parë.

Leave a Reply