KF Kukësi është duke i vijuar përgatitjet në Antalia të Turqisë nën drejtimin e trajnerit të ri austriak Peter Pakult. Nga toka turke ka folur drejtori sportiv i Kukësit, Nderim Nexhipi, i cili njëashtu u prezantua së bashku me trajnerin e ri.
“Jemi duke u stërvitur në kushte të mira, ekipi po ecën shumë mirë. të gjithë janë të vetëdijshëm për situatën ku jemi dhe duam ta kalojmë sa më shpejt”, është shprehur Nexhipi për supersport.
Për 33-vjeçarin shkupjan, ngarkesa duket të jetë më e madhe, pasi përtej rolit zyrtar, duhet të ndihmojë edhe trajnerin austriak, duke qenë e vetmja urë lidhëse midis tij dhe skuadrës. Megjithatë kjo nuk e pengon drejtorin sportiv që të mendojë edhe për afrimet në merkato, duke konfirmuar se së shpejti në skuadër do të ketë afrime të reja.
“Kam filluar si drejtor sportiv, por njëkohësisht jam afër trajnerit, ta ndihmoj të njohë ekipin dhe futbollin shqiptar. Trajneri është i kënaqur me skuadrën, ndërkohë që presim përforcime të reja”, deklaroi Nexhipi.
Kukësi me 13 janar do të luaj miqësore me Fenerbahçen, ndërsa në ndeshjen e dytë kontrolluese ekipi shqiptarë do të përballet me Bursasporin.