Me golin e shënuar ndaj Levantes, super ylli botëror Lionel Messi ka barazuar rekordin e Gerd Myler prej 365 golave të shënuar në kuadër të një kampionati, nga 5 kampionatet më të mira në Europë, Spanjë, Gjermani, Itali, Francë dhe Angli.
Sulmuesi argjentinas shënoi golin e parë në fitoren 3:0 të Barcelonës ndaj Levantes në “Kamp Nou” në ndeshjen e javës së 18-të në La Liga dhe tashmë është vetëm çështje kohësh se kur “pleshti” do të thyej edhe këtë rekord, të vendosur 39 vite më parë.
Gjermani Myler shifrën e 365 golave e kishte arritur në një afat kohor prej 14 vitesh, njëjtë sikurse edhe ylli i “katalunasve”.
Rastin e parë që Messi të thyej rekordin e futbollistit gjerman do ta ketë që javën e ardhshme, kur me Barcelonën e tij do të luajnë kundër Real Sociedadit të Adnan Januzajt.
Para pak kohësh Messi kishte arritur që të zbret nga piedestali Mylerin, kur janë në pyetje golat e shënuar për një skuadër në të gjitha garat. Messi në përgjithësi për Barcelonën ka të shënuar 527 gola, dy më shumë se Myler, i cili me Bajernin e tij kishte realizuar 525 gola.