Sandro Vagner rikthimin e tij te Bajerni i Munihut e ka regjistruar me një gol, teksa kampionët e Gjermanisë kishin shënuar fitore të thellë 6:0 në ndeshjen e tyre të parë të vitit 2018 ndaj Al Ahli në Doha.
Sulmuesi gjerman, i cili u transferua në “Alianc Arena” nga Hofenhajmi më 1 janar dhe që kishte lënë Bajernin 10 vite më parë, zhbllokoi rezultatin në pjesën e parë gjatë miqësores të zhvilluar gjatë ditës së sotme.
Përveç Vagner në listën e golashënuesve në këtë ndeshje u regjistruan edhe Toliso, Roben, Koman, Dorsh dhe Niklas Shule.
Pas tre ditëve “bavarezët” në “Alianc Arena” do të përballen me skuadrën e ligës së tretë, Zyonenhof, që njëherit do të jetë edhe ndeshja e fundit kontrolluese para startit të pjesës së dytë të sezonit në Bundesligë.
Skuadra e trajnerit Jup Hejkens pjesën e dytë të sezonit në elitën e futbollit gjerman do ta hap me ndeshjen derbi në transfertë kundër Bajer Leverkusenit, që në program është me datë 12 janar.