Futbollisti kumanovar, Naser Aliji, që njëherit mbron edhe ngjyrat e Kombëtares Shqiptare aktualisht është pa skuadër dhe nën presionin e trajnerit “kuqezi”, Kristian Panuçi për t’u sistemuar sa më shpejt në një ekip.
Ai së fundmi ishte pjesë e Kajzerslauternit në Bundesliga II, mirëpo pasi shkëputi kontratën në fund të gushtit, ai është stërvitur në mënyrë individuale për të qenë në formën e duhur. Dëshira e vetë futbollistit është që të vazhdojë karrierën ne Europë, mirëpo për momentin një gjë e tillë duket e pamundur, ndërsa duke marrë parasysh ambiciet e Shkëndijës për këtë sezon dhe fuqinë financiare, atëherë pikërisht klubi tetovar mund të jetë shpëtim për Naser Alijin, që gjithashtu kërkohet edhe nga treshja e skuadrave më të mira në Superligën shqiptare, Skënderbeu, Kukësi dhe Flamurtari.
Këta të fundit përmes administratorit të tyre Sinan Idrizi, madje ka konfirmuar interesimin për futbollistin kumanovar, por edhe Skënderbeu e sheh atë si një alternativë ideale në prapavijë, njëjtë sikurse edhe Kukësi.
Megjithatë këtu nuk mbyllet lista e skuadrave të interesuara për Alijin, pasi thuhet se për shërbimet e tij interesohet edhe skuadra e Cyrihut nga Superliga e Zvicrës, aty ku 24-vjeçari kishte krijuar identitetin e tij prej futbollisti profesional.