Të rinjët shqiptarë që jetojnë me familjet e tyre jashtë kufijve të Maqedonisë po dëshmojnë veten e tyre thuajse në të gjitha sportet, e në veçanti në futboll. Këta shqiptarë të talentuar po vlerësohen shumë jashtë kufijve, mirëpo jo edhe në vendet e tyre.
“infOSport.mk” ka nisur një fushatë për zbulimin e tyre, ndërsa një emër që peshkohet nga redaksia jonë, është ai i talentit 17-vjeçar, Besir Baftijari që aktualisht luan me Sparta Pragën në Republikën Çeke. Djaloshi i lindur në Çeki, por që rrjedhë nga një familje shkupjane, karrierën e tij e kishte filluar si 5-vjeçar te ekipi i FC Usti Nad Labem, që më pas për tre vite të plota (12-15vjeç) të jetë pjesë e Teplices.
Ky super talent ndryshe rrjedh prej një familje sportistësh, ndërsa në bazë të mbiemrit gjeneratave më të vjetra menjëherë ju bie ndërmend emri i Bajram Baftijar, apo siç e kemi njohur të gjithë ne “Axha Bajrush”, një legjendë e gjallë e ish Sloga Jugomagnagtit, tashmë FC Shkupit dhe Lepencit të Kosovës, i cili ka nxjerrë një plejadë futbollistësh nga KF Sloga Jugomagnati, ku për vite të tëra ka luajtur rolin e trajnerit tek gjeneratat e reja.
Pikërisht dëshira e tij ka bërë që edhe nipi Besiri të merret me futboll, ndërsa si duket ky i fundit po i plotëson në maksimum dëshirën babgjyshit të tij, i cili tashmë po mburret me këtë super talent, që ka tërhequr vëmendjen e thuajse gjithë Europës me paraqitjet e tij që po bënë me fanellën e Sparta Pragës në Çeki. Ai gjatë këtij sezoni me skuadrën e njohur çeke ka zhvilluar plotë 22 ndeshje, 16 prej të cilëve me ekipin U19 të Sparta Pragës dhe 6 me ekipin U17, duke realizuar edhe 8 gola (6 gola me U19 dhe 2 gola me U17).
Pikërisht këto të dhëna statistikore kanë bërë që për shërbimet e shqiptarit të interesohen edhe skuadrat gjigande si Bajern Munih, Juventus dhe Roma.
Skuadra nga kryeqendra italiane e kishte ftuar atë në Itali, ku me sukses kishte kaluar provat, ndërsa gjithashtu për shërbimet e tij interes kanë shfaqur edhe skuadra angleze e Uatfordit, Frajburgu gjerman dhe skuadra franceze e Metz.
Mirëpo rreth karrierës së tij me shumë përkushtim po kujdeset menaxheri çek, Martin Hrdlicka, i cili bashkë me Besirin do të vendosin për ofertën më të mirë.
Shpresojmë që e ardhmja e tij të jetë në një skuadër gjigande evropiane, pasi vërtetë ky super talent premton shumë, ndërsa më së miri për këtë flet edhe fakti se ai gjithashtu mbron ngjyrat e kombëtares së Republikës Çeke – U17, ndërsa më parë kishte mbrojtur edhe ngjyrat e Maqedonisë U15 dhe U16 si dhe të Çekisë U16. Mbetet të shihet se cila prej këtyre dy Kombëtareve do të përfitojë në fund shërbimet e tij, apo ndoshta nga e gjithë kjo situatë e krijuar rreth këtij super talenti do të përfitojë Kombëtarja e Shqipërisë, që gjithashtu ka shfaqur edhe shenjat e para të interesimit.