Florian Kadriu me shumë gjasa karrierën e tij do e vazhdoj te Renova, njofton “infOSport.mk”. Futbollisti kërçovar i cili së fundmi ishte pjesë e skuadrës së Rabotniçkit, si duket sërish do të mbetet pjesë e elitës, mirëpo kësaj rradhe duke qenë më afër vendlindjes së tij.
Ai shihet si një përforcim i duhur në skuadrën e trajnerit Vlatko Kostov, i cili dëshiron që të mbulojë zbraztirën e krijuar në skuadër pas largimit të Argjent Gafurit drejt Flamurtarit të Vlorës.
Mbetet të shihet nëse palët do të gjejnë gjuhë të përbashkët gjatë këtyre ditëve, duke pasur parasysh se për Kadriun interes ka edhe nga skuadra jashtë Maqedonisë. Burimë pranë “infOSport.mk” bëjnë me dije se edhe skuadra e njohur gjermane e Paderborn ka shfaqur interesim për këmbëshpejtin, Kadriu, i cili gjatë karrierës së tij kishte qenë pjesë edhe e skuadrave të FC Shkupit, Tiranës, Teutës dhe Vëllazërimit.
Ndryshe Paderborni aktualisht garon në Ligën e tretë gjermane, mirëpo me gjasa reale që të rikthehet në Bundesliga II, duke pasur parasysh se pjesën e parë të sezonit 2017/2018 e mbylli në pozitën e dytë me 44 pikë, vetëm dy pikë më pak se kryesuesit e Magdeburg. Pikërisht këto dy vende sigurojnë një vend për në Ligën e Dytë Gjermane, ku Kadriu mund të luaj pa asnjë problem, bazuar në cilësitë e tij të larta që posedon ky super futbollist.