Skuadra kampione e Shqipërisë në futboll, Kukësi, sot ka prezantuar edhe zyrtarisht trajnerin e ri, i cili do ti udhëheq ata gjatë pjesës së dytë të kampionatit, ku skuadra nga verilindja e Shqipërisë shpreson të bëjë më të mirën dhe të kap Europën.
“Hapi i parë është që të njihem me skuadrën, pasi me objektivin tashmë jam njohur dhe dua të arrij maksimumin. Objektivi im është që të bëjmë një futboll të mirë, por do të kem ide të qartë për futbollistët në fazën përgatitore. Në fund të sezonit Europa është objektivi primar, pasi aktualisht jemi në vendin e katërt”, – ka thënë trajneri austriak.
Pacult ka folur edhe për merkaton dhe nevojën për futbollistë të rinj te Kukësi.
“Në ndeshjet e radhës që do kemi do të ndryshojnë shumë gjëra. Unë kam punuar me futbollistë shqiptarë, pasi te Rapidi kam punuar me Hamdi Salihin, por nuk kam folur me të para se të vija këtu. Me ndihmën e drejtorit dhe menaxherit do të njihem me skuadrën dhe besoj se do të kemi sukses. Në merkato rëndësi ka që të marrim lojtarë cilësorë dhe të shkojmë sa më larg. Personalisht jam trajner sulmues dhe do synoj që një gjë të tillë të praktikoj edhe te Kukësi”, ka thënë Pacult gjatë prezantimit të tij si trajner i kampionëve në fuqi të Shqipërisë, të cilët gjithashtu njoftuan edhe emrat e ndihmësve të tij si dhe drejtorit të ri sportiv, Nderim Nexhipi.
Kapiteni i deritanishëm i Kukësit, Rahman Hallaçi do të jetë ndihmës trajner i Pacult, njëjtë sikurse edhe Andi Baze, teksa trajner i portierëve do të jetë Gut Tufaj.