Shkëndija dhe Renova janë ndarë në mënyrë vëllazërore në ndeshjen e zhvilluar sot në Tetovë në kuadër të javës së 26-të, njofton “infOSport.mk”.
Gjithçka interesante në këtë përballje ndodhi në 15 minutat e fundit të takimit, kur edhe u shënuan të dy golat. Ishin fillimisht futbollistët e Renovës që shënuan me anë të Stojançe Velinov në minutën e 75-të, derisa golin e barazimit për Shkëndijën në këtë përballje e realizoi golashënuesi më i mirë në elitën e futbollit vendor, Besart Ibraimi në minutën e 83-të.
Shkëndija edhe pas këtij barazimi vazhdon të qëndrojë në pozitën e dytë, por tashmë thuajse pa shumë shanse për titullin e kampionit, duke pasur parasysh se rivali i tyre më i madh, Vardari shënoi fitore ndaj Pelisterit me rezultatin 3:1 dhe ngriti epërsinë në +11 pikë ndaj skuadrës tetovare. Vardari tashmë ka 62 pikë, ndërkohë Shkëndija me 51 pikë renditet në pozitën e dytë.