Mesfushori shkodran Edon Hasani periudhën në vazhdim do të luajë në elitën e futbollit iranian, ku ka firmosur me skuadrën e Sepahanit. 25 vjeçari ka firmosur për 1.5 vite me një kontratë shumë të favorshme finansiare. Shkodrani ishte pjesë e Vllaznisë me të cilët kishte kontratë deri në verë, ndërsa për largimim e parakohshëm ekipi që garon në Pro League të Iranit pagoi shumë të konsiderueshme në emër të dëmshpërblimit.
“Edoni firmosi para një jave dhe jemi shumë të kënaqur që ky operacion u mbyll me sukses. Lojtari ka kontratë shumë të mirë në aspekt finansiar dhe tani vetëm duhet të koncentrohet në paraqitjet në teren. Pas vendosjes jemi kthyer shkurtë për të marrë gjërat e nevojshme për të vazhduar jetën në Iran”, tregon për InfoSport, menaxheri Nafo Rexhepi i cili është më meritori për transferimin e Hasanit te Sepahani. “Detyra jonë është që të shfrytëzojmë njohjet dhe lidhjet tona për tu mundësuar futbollistëve cilësorë shanse të reja jo vetëm për të luajtur jashta vendit, por edhe për të përfituar në aspekt finansiar. Në rastin konkret kujtoj se trajner i Sepahanit është Zlatko Krajnçar me të cilin kam marrëdhënie shumë të afërta. Uroj të dyve tu ec mirë, për të arsyetuar besimin e drejtuesve të klubit”, përfundoi Rexhepi.
Për Hasanin kjo do të jetë eksperienca e katërt jashta Shqipërisë, pasi paraprakisht ishte pjesë e Litexit në Bullgari dhe Ceahlaul dhe Poli Timisioras në Rumani, ndërsa në vendlindje përveç Vllaznisë ka luajtur edhe me Kukësin.