Futbollisti i Shkëndijës, Ardian Cuculi të hënën në mbrëmje ishte mysafir në emisionin “Proçesi Sportiv” në “Top Channel”, njofton “infOSport.mk”. Duke pasur parasysh se emri i tij përmendej me një kalim të mundshëm te Flamurtari i Vlorës, nuk kishte se si mos ti parashtrohej kjo pyetje edhe nga moderatorët e këtij emisioni. Megjithatë përgjigja e Cuculit ishte paksa diplomatike, ndërsa gjithasht potencoi se i ka borxh titullin kampion Shkëndijës.
“Pasi është një periudhë ku po afrohet merkatoja, zëra do të ketë gjithmonë. Por, unë nuk mund të flas për momentin asgjë. Ndihem shumë mirë te Shkëndija e Tetovës për momentin. Kemi një detyrim ndaj vetes dhe ndaj të gjithëve në atë klub për ta shpallur kampion. Më pas nuk i dihet se çfarë do të ndodh. Te Flamurtari unë kam shumë miq, ku përveç trajnerit, janë edhe disa futbollistë që kanë luajtur me Shkëndijën në Maqedoni. Por, siç e thashë, ndihem mirë te Shkëndija”, – deklaroi Ardian Cuculi.
Shkëndija u shpall kampion vjeshtor me 46 pikë, 8 më shumë se ndjekësi më i afërt Vardari, ashtu që fatin e titullit kampion “kuqezinjtë” nga Tetova e kanë në duart e tyre. Madje shumë gjëra mund të vendosin që në ndeshjen e parë të stinorit pranveror, kur në Tetovë do të mirëpresin Vardarin. Fitorja eventuale në atë ndeshje të 14 shkurtit do afronte më shumë se kurrë Shkëndijën drejt titullit kampion.