Ndihmës seleksionuesi i Maqedonisë, Xhengis Rexhepi është shumë fare pranë emërimit si trajner kryesor i skuadrës kosovare të KEK-ut, njofton “infOSport.mk”.
Burime të afërta me portalin tonë bëjnë me dije se pas bisdimeve disa ditore, marrëveshja mes dy palëve është pranë finalizimit.
Strategu tetovar ka vizituar edhe ambientet e klubit në Obiliq, ku është njoftuar për së afërmi me kushtet momentale që i posedon kjo skuadër në aspektin infrastrukturor.
NDIHMËS SELEKSIONUESI I MAQEDONISË MERR DREJTIMIN E KEK-UT
Skuadra e KEK-ut aktualisht luan në Ligën e Parë kosovare, mirëpo ata stinorin vjeshtor e mbyllën si kampion pa asnjë disfatë.
“Elektricistët” pas 17 xhirove kanë grumbulluar 39 pikë, 5 më shumë se dy ndjekësit më të afërt Vushtrria dhe Ballkani dhe shihet si një ndër kandidatët kryesor që sezonin tjetër të promovohet në mesin e më të mirëve në futbollin kosovar. Rikujtojmë se edhe gjatë këtij gjysmësezoni në adresë të Rexhepit kishin arritur disa oferta nga klube nga Maqedonia dhe Kosova, por për shkak angazhimeve me përfaqësuesen e Maqedonisë, ai kishte refuzuar të njëjtat, mirëpo jo edhe këtë të KEK-ut që vërtetë ishte shumë e kapshme për strategun 35-vjeçar nga Tetova, i cili njëkohësisht do të vazhdojë të luaj edhe rolin e ndihmësit të Igor Angellovskit te përfaqësuesja e Maqedonisë.
Rexhepi në postin e trajnerit te KEK-u do të zëvendësojë Sadat Pajazitin.