Vetëm pak orë pasi kishin vendosur të ndërprejnë bashkëpunimin me trajnerin Nexhad Husein, drejtuesit e FC Struga kanë emëruar trajnerin e tyre të ri, i cili do ti udhëheq gjatë stinorit pranveror në Ligën e Dytë Futbollistike të Maqedonisë – Perëndim, njofton “infOSport.mk”.
Bëhet fjalë për Aleksandar Tançeski, i cili deri më tani luante rolin e ndihmës trajnerit të Nexhad Husein. Ai me FC Strugën ka nënshkruar kontratë deri në fund të qershorit, me opcion për të vazhduar të njëjtën edhe për një vit tjetër.
Ndryshe para se të vinte te FC Struga, Aleksandar Tançeski kishte punuar edhe në Maltë, duke luajtur rolin e ndihmës trajnerit të Artim Shaqirit, te skuadra e Pembrok Atleta.
Detyra e tij do të jetë që në skuadër të sjellë një strategji dhe frymë të re, përmes së cilës FC Struga do të vazhdojë rrugëtimin e nisur nën drejtimin e trajnerit Nnexhad Husein, kur pas 14 xhirove të para u rendit në pozitën e tretë, me vetëm një pikë më pak se dy skuadrat kryesuese Vëllazërimi dhe Gostivari.
Debutimin e tij në një ndeshje zyrtare si trajner kryesor, Tançeski me FC Strugën do ta ketë me 03 mars të vitit 2018-të kundër Teteksit në Tetovë.