Dy futbollistët e krahut të majtë, Ivan Çolakoviç dhe Xhelil Asani me shumë gjasa do të braktisin Shkëndijën që në merkaton e janarit, njofton “infOSport.mk”.
Edhe pse erdhën si përforcime të mëdha te skuadra tetovare për të mbuluar atë pozitë të lënë zbrazur pas ikjes së Besir Demirit, asnjëri prej tyre nuk arriti që të promovohet para trajnerit Qatip Osmani.
Për kroatin Çelikoviç rruga e ndarjes është më e lehtë, pasi atij edhe ashtu i përfundon kontrata në fund të këtij viti (31.12.2017), ndërsa gjërat qëndrojnë më ndryshe me Xhelil Asanin, i cili me Shkëndijën ka një kontratë deri në verën e vitit 2019-të. Ky i fundit ka zhvilluar vetëm dy ndeshje kampionale, edhe atë që të dyja kundër Pobedës, ndërsa gjithashtu ishte paraqitur edhe në ndeshjen e Kupës kundër Gostivarit, kur edhe kishte bërë debutimin e tij me fanellën e Shkëndijës.
Kroati Çelikoviç në këtë sezon ka regjistruar 7 ndeshje kampionale dhe po aq ndeshje në kuadër të eliminatoreve të Liga Europa, ku edhe kishte shënuar një gol në përballjen në transfertë ndaj Helsinkit (1:1). Mirëpo edhe kjo është e pamjaftueshme për një futbollistë të kalibrit të tij, i cili te skuadra tetovare erdhi me shumë bujë, por që po largohet nën hije.