Futbolli në Maqedoni, Shqipëri dhe Kosovë ka vite që jep sinjale për lëvizje pozitive, mirëpo jo stabiliteti finansiar gjithmonë shfaqet si pengesë për ngritjen e nivelit në lartësinë e pritur.
Skenderbeu i Korçës në Shqipëri, Shkëndija e Tetovës dhe Vardari i Shkupit për momentin kanë stabilitetin e duhur financiar, ndërsa shumica e klubeve tjera nuk arrinë të mbajnë kontuinitetin edhe atëherë kur pranë vetes kanë sponsor serioz me premtime të mëdha.
Privatizimi i klubeve, që do të ndikonte në masë të madhe në pengimin e përzierjes së palëve të treta, përfshi këtu edhe politikën.
“Kur e ke klubin privat, me të vërtet nuk mund të futet as politika në punën tënde. Mund t’i humbësh finansat që ke investuar dhe pastaj mund të vijnë ndihma nga tjera. Si shembull un nuk dua të jem president i klubit, por dua të investoj 20 % të aksioneve dhe çfarë do ketë fitime, unë do e marrë pjesën time. Në këtë mënyrë unë mendoj që do të jetë shumë e lehtë për të funksionuar si klub dhe asnjëherë nuk mund të përzihet politika aty”, – ka thënë trajneri shkupjan Zekirija Ramadani në emisionin ‘Sportmania’ në TV Shenja.
S’do mend se privatizimi duket rruga e duhur për ngritjen e nivelit të futbollit, mirëpo më me rëndësi mbetet serioziteti dhe planet konkrete të investitorëve për të zhvillur avansimin e projekteve të tyre.
Në Maqedoni tani më një kohë skuadrat e futbollit funksionojnë si Shoqata Aksionare, mirëpo janë shumë shembuj kur në klube të caktuara kanë hyrë sponzorë me shumë bujë, ndërsa janë larguar duke lënë vetëm borxhe dhe dëshpërime.
“Sponsorët që duhet të vijnë nëpër klube, patjetër duhet të shfaqin një plan program, një siguri financiare, të kenë diçka që hynë në klub dhe jo shumë thjeshtë si shikues me hy me pa ndeshjen dhe kur të duash del. Mendojë që çdo klub duhet të ketë një plan program e strategji pune dhe të punojnë në atë drejtim. Ndryshimet incidentale që ndodhin, pa dyshim se e shkatërrojnë futbollin”, thotë agjenti i futbollit, Nadi Fetai. (SHENJA)