UEFA ka refuzuar kërkesën e Milanit sa i përket marrëveshjes vullnetare (voluntary agrement) i parashikuar nga Fair-Play Financiar. Vendimi në fjalë qarkullonte prej ditësh, madje ishte i parashikuar duke parë sinjalet negative të shprehura javën e kaluar. Tani priten argumentet konkrete. Në këtë pikë, Milani duhet të përshtatë një strategji tjetër për të vënë në rregull llogaritë me UEFA-n.
Lajmi është bërë i ditur nga qeveria e futbollit evropian nëpërmjet një deklarate zyrtare.
“Dhoma e Hetimit të organit të kontrollit financiar të klubeve në UEFA – lexohet në komunikatë – ka analizuar kërkesën e prezantuar nga AC Milan sa i përket marrëveshjes vullnetare të parashikuar në rregulloren e Fair-Play-t Financiar”.
“Pas një analizimi të kujdesshëm të gjithë dokumentacionit të prezantuar dhe shpjegimeve të ofruar – informon UEFA – Dhoma ka vendosur të mos e pranojë marrëveshjen vullnetare me AC Milan”. Në veçanti më tej lexohet se, “Dhoma ka konsideruar se ende sot e kësaj dite ka pasiguri sa i takon rifinancimit të borxhit që duhet shlyer në tetor në vitit 2018 dhe garancitë financiare të ofruar nga aksionistët kryesorë”.
“AC Milan do të vazhdojë të jetë subjekt i monitorimit aktual dhe situata do të vlerësohet sërish në muajt e parë të vitit 2018”, – përfundon deklarata e UEFA-s. (EDS)