Flitej që më herët, ndërsa një gjë e tillë u bë zyrtare vetëm gjatë ditës së djeshme, kur futbollisti shkupjan, Muarem Muarem u prezantua te skuadra e Flamurtarit nga Superliga shqiptare. Ai me vlonjatët nënshkruajti kontratë 18 muajshe, ndërsa thotë se kanë qenë ambiciet dhe projekti i klubit “kuq e zi” që ka shtyrë atë të nënshkruajë me këtë skuadër.
“Kam nënshkruar për një vit e gjymë. Jam shumë i kënaqur me kushtet që mi kanë ofruar. Unë si futbollist çdoherë kam dashur të luaj në klube me ambicie të larta, qofshin ato si nga Superliga shqiptare apo edhe në Europë. Mund të them se pikërisht ambiciet që ka Flamurtari më kanë shtyrë të pranojë ofertën e kësaj skuadre” – tha enkas për “infOSport.mk” nga Vlora, Muarem Muarem.
Shkupjani 29-vjeçar tregon gjithashtu edhe ata që ishin më të merituar për transferimin e tij në Vlorë.
“Te merituar janë krejt ata që prej në fillim kemi qenë në bisedime me këtë klub prej trajnerëve, presidentit dhe shokut tim që më tregoj i pari për këtë klub, Ismet Hasani. Më treguan se për çfarë klubi bëhet fjalë, dhe normalisht pas gjithë atyre fjalëve unë vendosa vetë për të vazhduar karrierën time në klubin e Flamurtarit” – tha Muarem, i cili së fundmi ishte pjesë e skuadrës së Aktobe nga Kazakistani.
Muarem Muarem bëhet futbollisti i 6-të që ka luajtur në kampionatin e Maqedonisë dhe që i bashkohet Flamurtarit. Rikujtojmë gjatë merkatos së verës skuadra që drejtohet nga ish tekniku i Shkëndijës, Shpëtim Duro, në Vlorë solli Goran Siljanovskin e Rabotniçkit, Muhamed Useinin e Renovës si dhe dy futbollistët e Shkëndijës Viktor Nildo Xhufo dhe Artim Pollozhanin. Ditë më parë ata nënshkruajtën edhe me ish sulmuesin e Sileksit, Igor Nnedeljkoviç.