Ndihmës trajneri i Mançester Sitit, Mikel Arteta sot përderisa po arrinte në qendrën stërvitore të skuadrës së tij, ishte fotografuar duke mbuluar fytyrën e prerë, pasi ishte goditur me një send të fortë brenda në dhomat e xhveshjes pas përfundimit të derbit lokal kundër Mançester Junajtedit.
Ai kishte pësuar më së rëndi pas sherrit që kishte plasur në dhomat e xhveshjes mes taboreve të të dyja skuadrave, ku në rolin e protagonistit thuhet të kishte qenë trajneri i “Djajve të Kuq”, Hoze Murinjo.
Ky i fundit kishte kërkuar “më shumë respekt” nga futbollistët e Sitit pas humbjes 2:1 të ekipit të tij, pasi kishte dëgjuar muzikë me zë të lartë që vinte nga dhomat e xhveshjeve kundërshtare.
Strategu portugez i Junajtedit kishte hyrë në dhomën e Sitit, ndërsa aty kishte filluar një debat me portierin Ederson, me të cilin ishin sharë në gjuhën portugeze.
Pas trajnerit, edhe futbollistët e Mançester Junajtedit ishin përfshirë në debat dhe sipas dëshmitarëve, palët kishin shkëmbyer grushta ndërsa policia kishte pasur të vështirë të kontrollonte situatën e krijuar.
Ndërkohë, ndihmësi i Guardiolës, Mikel Arteta, kishte përfunduar i gjakosur pas një të çare që mori në kokë në momentin që u mundua të ndante palët, ndërsa sipas mediave angleze ai që kishte goditur Artetan kishte qenë Romelo Lukaku.
Situata u qetësua nga forcat e rendit, ndërsa më pas forca të shumta policore u pozicionuan në ambientet e brendshme të stadiumit për të evituar përplasje të tjera.